Lajme

Thirrje për gjykatë ndërkombëtare për krime lufte pas zbulimit të qindra varreve në Izyum

Presidenca e Bashkimit Evropian ka bërë thirrje për një gjykatë ndërkombëtare lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Siç raporton BBC, thirrja nga Republika Çeke e cila mban aktualisht presidencën e radhës të bllokut, erdhi pas zbulimit të qindra varreve në Izyum, një qytet i çliruar kohët e fundit nga trupat ukrainase.

Personat e gjendur në këto varre thuhet se janë civili duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Ministri i jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky tha se ata janë pro ndëshkimit të kriminelëve të luftës.

“Në shekullin e 21-të, sulme të tilla kundër popullsisë civile janë të pamendueshme dhe të neveritshme,” tha Lipavsky. Ne nuk duhet ta neglizhojmë atë. Ne jemi për ndëshkimin e të gjithë kriminelëve të luftës,” tha ai.

Lipavsky bëri thirrje që të ngritët edhe tribunal i posaçëm ndërkombëtar që të ndjek penalisht krimin e agresionit.

“Unë bëj thirrje për ngritjen e shpejtë të një tribunali të posaçëm ndërkombëtar që do të ndjekë penalisht krimin e agresionit”.

Në fjalimin e tij të rregullt të shtunën mbrëma, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se hetuesit kishin zbuluar prova të reja të torturave të përdorura kundër njerëzve të varrosur në Izyum.

“Më shumë se 10 dhoma torture janë gjetur tashmë në zonat e çliruara të rajonit Kharkiv dhe në qytete të ndryshme,” tha Zelensky.

Ai tha se rusët do të duhet të përgjigjen “si në fushën e betejës, ashtu edhe në sallat e gjyqit”.

Të enjten, shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se donte që Putini të përballet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare lidhur me krimet e luftës në Ukrainë./Shqip.com