Lajme

Gërvalla: Abdixhiku nuk ma mbush syrin, në LDK ka vetëm pseudoreforma

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk ia mbush syrin.

Gërvalla ka thënë që nuk shohin mundësi bashkëpunimi me LDK-në.

“Nuk shoh asgjë e cila ka të bëjë me atë koncept, që ne si parti e re politike dëshirojmë t’ia bëjmë të afërt votuesit të Kosovës. Lumir Abdixhiku nuk ma mbush syrin, sepse e shoh si një pseudoreformë e cila në të vërtetë në LDK nuk ka ndryshuar asgjë”.

Tutje ajo ka thënë se në LDK nuk sheh asnjë reformë.

“Nuk shoh në LDK asnjëlloj reforme, shoh një fasadë, një përpjekje kozmetike për të mbuluar problemet e mëdha që janë në atë parti, të cilën unë e njoh mirë. E njoh nga 27 vjet aktivitet në kuadër të asaj partie politike dhe prandaj i jap të drejtë vetes edhe pse nuk jam brenda, të jap gjykimin tim rreth proceseve të cilat ndodhin”, tha Gërvalla.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Tutje ajo ka thënë se me Vetëvendosjen jo gjithmonë i ndajnë të njëjtat ide, por i ndajnë të njëjtat vendime, dhe sipas saj deri në zgjedhjet e ardhshme kanë kohë mjaftueshme që të tregojnë që nuk kishin vetëm premtime boshe.

”Guxo si drejtim është një parti e qendrës së djathtë e cila në dallim me partnerin tonë të koalicionit, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është një parti e qendrës së majtë, me të cilën në partneritet jo gjithmonë i ndajmë të njëjtat mendime, por në fund i ndajmë të njëjtat vendime rreth asaj se si do të veprojmë në të ardhmen, prandaj mendojmë se deri në zgjedhjet e ardhshme është një kohë e mjaftueshme për të dëshmuar se çka kemi premtuar s’kanë qenë vetëm premtime boshe, por aty ku jemi të pranishëm ne vazhdojmë atë që e kemi thënë para zgjedhjeve”, ka thënë Gërvalla në Rubikon.

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla,

Ajo tha se të dy këto parti kanë respekt dhe korrektësi në punë me njëra tjetrën,.

” Partneriteti që kemi ne me VV-në rrallë ka funksionuar në të kaluarën… VV është shumë e kujdesshme në raport me ne dhe respekti i ndërsjellë që e kemi nuk e  reflekton faktin që VV është parti shumë e madhe dhe ne si parti në ngritje e sipër. Në këtë partneritet që e kemi nuk vërehet shumë dallimi në madhësi, sepse mënyra se si korrektësia dhe respekti i ndërsjellë janë të pranishme në të gjtha strukturat”, ka shtuar ajo.

Ajo tha se me partitë që janë në opozitë i dallon qëndrimi që kanë ndaj rendit dhe sundimit të ligjit.

Gërvalla po ashtu ka thënë se ka qenë ide e saj që partia  “Guxo” të ketë dy kryetar.

Ajo ka thënë se bashkëpartiaku i saj është person i duhur për këtë pozitë, pasi sipas saj ajo ka analizuar edhe punën dhe angazhimin e tij gjatë gjithë kohës.

“Ky propozim ka qenë ekskluzivisht i imi. Të gjithë kolegëve që ua kam propozuar fillimisht duke përfshirë edhe Fatonin, kanë hezituar. Që nga zgjedhja e presidentes, unë e kam kryesuar partinë deri në kuvendin zgjedhor. Për gjithëkënd ka qenë e qartë që një prej kandidaturave do të jetë e imja, nuk kemi pasë proces të kontestimit të kandidaturës sime”.

Tutje Gërvalla ka thënë që nga ky pozicion i fortë e ka pasë shumë të lehtë që të bëjë një propozim të tillë./SHQIP.com