Lajme

Sulmi kibernetik ndaj sistemeve të Qeverisë së Kosovës: Të dhënat nuk janë cenuar

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Sistemet qeveritare të Kosovës, gjatë javës që shkoi janë prekur nga sulmet kibernetike të llojit DDoS.

Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media.

Nga qeveria njoftojnë se sulmet kanë shkaktuar pengesa të “herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare”.

Ndërsa shtojnë se ekipi i Agjencisë së Shoqërisë të Informacionit është vënë në lëvizje.

“Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.

Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Në anën tjetër, qeveria siguron se nuk është cënuar asnjë e dhënë të cilat janë të ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Me sulme kibernetike është duke u ballafaquar që nga viti 2021 edhe Shqipëria.

Ndërsa një media iraniane ka publikuar fotot e katër personave që thuhet se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Lexo edhe:
Në Iran publikohen fotot e hakerëve që sulmuan Shqipërinë

Rasti më i fundit i një sulmi kibernetik shkatërrues që iu atribuohet operativëve të inteligjencës iraniane ishte një ndërhyrje e hakerëve në sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare që filloi në vitin 2021 dhe përfundoi me një ndërprerje masive në korrik, sipas hetimeve të sigurisë të Microsoft.

Për sulmet kibernetike, përgjegjësinë e ka marrë edhe grupi i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut”.

Lexo edhe:
Grupi i hakerëve “Drejtësia e Atdheut” nxjerr në shitje me Bitcoin të dhënat nga e-Albania dhe TIMS

Këta të fundit kanë nxjerr në shitje me Bitcoin, të dhënat e marra nga e-Albania dhe TIMS.

Çka është sulmi kibernetik DDoS?

Sulmi kibernetik DDoS është një shkurtesë për sulmet Distributet Denial of Service.

Ky sulm ndodhë kur një server sulmohet duke i dërguar atij më shumë kërkesa se që ai mund t’u përgjigjet, duke e mbingarkuar atë derisa ai të mos mund të përgjigjet më në kërkesat legjitime.

Sulmet DDoS janë më të shpejta dhe më të vështira për t’u bllokuar sepse duhet të identifikohen dhe neutralizohen shumë sisteme për të ndaluar sulmin./Shqip.com