Lajme

Në Slloveni mbahet samiti i Procesit Bërdo-Brioni, Osmani kërkon liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Në Bërdo të Sllovenisë do të mbahet sot samiti i Procesit Bërdo-Brioni, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor.

E pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  krahas presidentëve të shteteve të rajonit.

Temat që do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, është paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Çka është Procesi i Bërdo-Brionit?

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në Bashkimin Evropian./Shqip.com