Policia tregon se çka u gjetë gjatë aksionit të madh antidrogë në rajonin e Pejës dhe Mitrovicës së Jugut

Drejtoria për Krime të Rënda, e udhëhequr nga Prokuroria Themelore e Pejës ka zhvilluar një aksion në rajonin e Pejës dhe atë të Mitrovicës së Jugut për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Si rezultat ka shoqëruar në stacion 11 persona të dyshuar.
“Me datën 7 shtator 2022, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura.
Si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar”.
Tutje në njoftim bëhët e ditur se njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll).

Gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si:
• shtatë (7) armë (2 Ak47, 5 revole),
• rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm,
• 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m,
• mbi 25 gramë kokainë,
• 5500 euro (para të gatshme),
• 6 telefona,
• si dhe dokumente relevante për rastin.
Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje./SHQIP.com