Lajme

SPAK hap një tjetër dosje për Ilir Metën për spastrimin parash

Teksa janë duke u bërë hetimet për ish-presidentin Ilir Metën për çështjen e lobimit në SHBA me para të padeklaruara, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar një tjetër procedim penal për Ilir Metën, Monika Kryemadhin, vëllain e saj Drini Kryemadhin dhe vjehrrin e këtij të fundit Nuri Peti.

Siç raporton Report TV, procedimi penal është regjistruar për veprat penale për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre. 

Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e një kallëzimi të referuar nga gazetari Adriatik Doçi.

Në reagimin e tij, Doçi thotë se materiali i referuar shoqërohet me provat, rrethana dhe faktet mbështetëse, që konfirmojnë pasurimin e këtij grupi duke abuzuar me detyrën publike dhe koncesionet e paguaranga shqiptarët. 

Në kallzimin penal, thuhet se Drin Kryemadhi, ka marrë 36 milionë lekë nga kompania e kolaudimit SGS, në formë pagash, gjatë periudhës 2013-2020, me funksionin ixhinier mekanik.  Madje, thuhet edhe se ai ka marrë një pagë disa herë më të lartë se sa inxhinierët e tjerë, si dhe  në një periudhë kohe, më të lartë edhe se sa vetë CEO i SGS-së. Konkretisht, paga e vëllait të Monika Kryemadhit rezulton 385,000 lekë/muaj, ndërsa CEO i kësaj kompanie, Alexandros Michail rezulton me pagë 351,467 lekë. 

Po ashtu një tjetër gjë që gazetari Doçi ka theksuar është se gjatë 7 viteve, Drini Kryemadhi ka shkuar vetëm disa ditë në punë, duke ngritur dyshime të arsyshme se vëllai i Monikës është paguar nga SGS, me qëllim që Meta të mos i kërkonte zbatimin e kontratës dhe realizimin e investimeve, përmes Ministrisë së Transporteve, të cilën e kontrollonte LSI-ja.

Tutje, në kallëzimin penal thuhet se në vitet 2015 dhe 2016, Drin Kryemadhi ka kaluar rreth 13 mijë dollarë në llogaritë e LSI-së. Pra, nga njëra anë ka marrë para nga SGS-ja që favorizohej nga Meta, nga ana tjetër financonte partinë e drejtuar nga Meta.

Meta është akuzuar në SPAK edhe nga ish-deputeti Halit Valteti sa i përket lobimit të pretenduar për partinë e tij me paratë e korrupsionit./Shqip.com