Pak fjalë, shumë gola – “Lewandowski i Malishevës” i heshti kritikët

Ishte maji i vitit 2021.
Malisheva po përballej me Trepçën – në kuadër të Ligës së Parë, Grupi A.
Ndeshja ishte e zjarrtë.
Një djalosh i quajtur Albion Rrahmani e tundi rrjetën – dhe e regjistroi një gol që do e mbajë mend gjatë.
Nga gëzimi i madh, një komentator lokal – i një televizioni lokal – i dha një epitet që mbeti pastaj një histori në vete: Lewandowski i Malishevës.
Rrahmani e kishte instiktin e “vrasësit” para portës – dhe krahasimi me sulmuesin polak kuptohej – ani pse hiperbola ishte e pranishme.
Video e golit të Rrahmanit u bë virale në rrjetet sociale – dhe tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve.
Fatmirësisht për futbollistin në fjalë, kjo paraqitje e tij dhe shumë të tjera – ranë në sy të stafit teknik të FC Ballkanit .
“Xhebrailat” u interesuan për shërbimet e 21 vjeçarit – dhe arritën marrëveshje bashkëpunimi.

Ai zbarkoi në Suharekë, por forma e tij në fillim ishte e zbehtë.
Nuk e kishte shkëlqimin e dikurshëm.
FC Ballkani vendosi të të bëntë ndryshime – dhe timonin e skuadrës e mori, strategu Ilir Daja.
Daja – që e kishte bërë historinë me Skenderbeun e kishte shumë suksese në të kaluarën – i besoi Rrahmanit. Dhe atë e bëri – në momentet kur – atij i duhej përkrahja më së shumti: Në garat evropiane.
Besimin dhënë nga Daja, Rrahmani e shpërbleu me gola.

Ai realizoi hat-trick ndaj La Fioritas – duke u bërë lojtari i parë nga Superliga e Kosovës që e tund rrjetën tre herë në një ndeshje në Evropë.
Por, ai nuk u ngop me kaq.
Albioni – tashmë ka shtatë gola gjithsej në kualifikimet për Europa Conference League – duke thyer një rekord në vete.
Asnjë futbollist nga Superliga – nuk e ka arritur këtë shifër ndonjëherë.

Këto statistika të frikshme mund të rriten edhe më shumë në të ardhmen – duke e marrë parasysh faktin që Ballkani ka siguruar biletën për në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.
Qendërsulmuesi ka një rrugëtim të gjatë para vetes – teksa kontratë me kampionin e Kosovës ka deri në vitin 2024.
Vlera e tij në “Transfermarkt” është 125 mijë euro – por pritet të rritet në vazhdim – duke marrë parasysh paraqitjet që ka pasur deri më tash./Shqip.com