Lajme Ballkan

Richard Nephew: SHBA do ta luftojë korrupsionin kudo që ta ndeshë

Koordinatori i qeverisë amerikane për luftën kundër korrupsionit global, Richard Nephew rikonfirmoi angazhimin e administratës së presidentit Joe Biden në luftën kundër kësaj dukurie në gjithë botën.

Në konferencën e tij të parë për shtyp të enjten në Uashington, foli edhe për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se problemet e tjera ekzistuese në rajon, përkeqësohen si pasojë e korrupsionit.

Ai vlerësoi Shqipërinë si partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe tha se SHBA do ta luftojë korrupsionin kudo që ta ndeshë, raporton Ballkanweb.

Nephew u shpreh se administrata e presidentit Joe Biden ka treguar qysh në vitin e parë të punës se lufta kundër korrupsionit është “interes thelbësor i sigurisë kombëtare dhe një nga përparësi e politikës së jashtme amerikane”.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë llogaridhënien e zyrtarëve të korruptuar përmes të gjitha programeve tona, atë të sanksioneve, kufizimeve financiare dhe të vizave nga Departamenti i Shtetit. Shqipëria është një partner i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”, është shprehur ai.

Zyrtari amerikan gjithashtu tha se qeveria e SHBA-së gjithmonë i kushton vëmendje luftës kundër korrupsionit në tërë Ballkanin perëndimor.

Shtetet e Bashkuara u kanë ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit, disa figurave në politikën e Shqipërisë, mes së cilëve ish-kryeministri Sali Berisha është emri më i njohur./Shqip.com