Krasniqi: Qeveria abstenoi në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën përballë krizës ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke hequr dorë nga përpjekjet për të ndihmuar Kosovën që të përballojë krizën ekonomike.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se ka rënje e konsiderueshme të fuqisë blerëse në Kosovë.
“Kur pritjet për ekonominë këtë vit sa shkojnë e përkeqësohen, Qeveria e Kosovës duket se ka hequr dorë nga çdo përpjekje serioze për ta ndihmuar vendin që ta përballojë krizën ekonomike me të cilën po ballafaqohet. Të dhënat për muajin korrik tregojnë se çmimet e ushqimit në Kosovë kanë qenë për 22.1% më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, përderisa të ardhurat e qytetarëve, kanë mbetur të njëjta me periudhën e para krizës e që në terma real, nënkupton një rënie të konsiderueshme të fuqisë blerëse”, shkroi Krasniqi.

Ai tha se Qeveria ka dështuar edhe për furnizimin e Kosovës me energji elektrike.
“Në kohën kur të gjithë kishin sytë nga rritja e çmimeve, qytetarëve të Kosovës iu prezantua edhe një sfidë e re – ajo e reduktimeve të energjisë elektrike në mes të verës. Dështimi për ta furnizuar vendin me energji elektrike, madje edhe gjatë kësaj periudhe, paraqet paralajmërimin më të përafërt lidhur me atë se çka mund të presim për muajt që pasojnë, sidomos në stinën e dimrit”.
Përkundër të gjitha këtyre, Krasniqi ka thënë se Qeveria ka bllokuar edhe investimet kapitale.
“Sikur të mos mjaftonin këto goditje për ekonominë, pikërisht gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, ka bllokuar pothuajse në tërësi investimet publike kapitale. Shkalla e realizimit të investimeve publike kapitale deri në muajin qershor paraqet vetëm 11% të shpenzimeve të planifikuara për vitin 2022 për këtë kategori”.
Tutje, Krasniqi tha se Qeveria po abstenon nga përgjegjësia që ka, ndërsa familjet kosovare kanë mbetur të vetmuara, pa asnjë mbështetje nga shteti i tyre, duke pritur ballafaqimin e vështirë me dimrin./Shqip.com