Lajme

Rruga “Kosova” në Prizren mbet me një shtresë asfalt, kompania thotë se nuk ka material për shkak të çmimeve të larta në treg

Rruga "Kosova" në Prizren

“Po punohet në mënyrë efikase që projekti të përfundojë sa më shpejtë”.

Kështu ka thënë në korrik të këtij viti kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj pas shtrimit me asfalt me shtresën e parë të rrugës “Kosova”.

Asfaltimi i kësaj rruge kishte nisur më 7 korrik dhe tash e një muaj, kjo rrugë ka mbetur vetëm me një shtresë.

Për këtë çështje, drejtori i shërbimeve publike në komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj tha se kompania kontraktuese ka mbetur pa material për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Për shkak se kompania ka mbetur pa material për shkak të rritjes së çmimeve në treg, andaj edhe nuk është shtru shtresa e dytë e asfaltit. Presim që deri në fund të këtij muaji të kryhet”, tha ai.

Rruga “Kosova” në Prizren

Pas shtresës së parë, në një pjesë të kësaj rruge KEDS ka ndërhyrë kështu duke e prerë asfaltin.

Lamaj tha se ndërhyrja nga KEDS ka ardhur pa pëlqimin e komunës.

“KEDS ka ndërhyrë në atë rrugë ku edhe është prerë një pjesë e saj. Për këtë KEDS nuk e ka kërkuar paraprakisht pëlqimin e komunës për çka edhe është gjobit”. shtoi Lamaj.

Rruga “Kosova” në Prizren

Në anën tjetër, Enver Gashi, pronar i kompanisë kontraktuese Gashi-ING, tha se aktualisht nuk ka mjete për ta blerë materialin për arsye të rritjes së çmimeve.

“Arsyeja pse nuk është shtru ende rruga është sepse janë rritë çmimet. Kontrata ka afat deri në nëntor të këtij viti”, u shpreh ai.

Rruga “Kosova” në Prizren

Asfaltimi i kësaj rruge është në kuadër të projektit “Rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugëve me asfalt në Komunën e Prizrenit”./Shqip.com