Lajme

Haradinaj i reagon Hekuran Muratit me kundër-akuza: Keni marrë tatëpjetën

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me deklaratën e këtij të fundit sot në një konferencë për shtyp, i cili tha se në kohën e Qeverisë Haradinaj ka pasur keqpërdorime në shpronësimet e tokave për ndërtimin e autostradës Pejë-Prishtinë, njofton Shqip.com.

Në reagimin e tij, Haradinaj i ka shtruar disa pyetje ministrit Murati, teksa ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në sondazhe dhe po vazhdon të bie si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë dhe mospërmbushjes së premtimeve.

Haradinaj i ka reaguar Muratit duke thënë se këto janë etiketime të ulëta. Ai ka shtuar më tutje duke i thënë atij se Qeveria Kurti po sjell gazin rus në Kosovë e po e bojkoton atë amerikan.

“Ministër Murati, etiketimet e ulëta nuk të shpëtojnë as ty e as shefin tënd nga dështimet e njëpasnjëshme!Tregoju qytetarëve ministër, pse po e bojkoton gazin amerikan e po e sjell gazin rus në Kosovë!?”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

I pari i AAK-së më tej ka kritikuar qeverinë që nuk po i mbështet sektorët publikë të cilët po përballen në front me pandeminë.

“Tregoju qytetarëve se nuk keni blerë asnjë vaksinë, dhe e keni bërë Kosovën “kampione botërore” për keqmenaxhim të pandemisë!  Trego ministër, pse nuk po bëni asnjë angazhim shtesë në situatën më të rëndë e me numrin rekord të vdekjeve këto ditë? Biles as shtesa për personelin shëndetësor e as për policinë?!”, shtoi ai.

Haradinaj më tej këtyre akuzave iu është përgjigjur po me akuza për keqpërdorime me tenderë, keqpërdorime të buxhetit, e për kontrata pa shpallje të nënshkruara.

“Tregoju qytetarëve, se përpos që hoqët taksën, nuk vendoset reciprocitetin, Serbisë ia hoqët edhe pengesën e fundit, taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, për të dëmtuar prodhimin tonë vendor! Ende nuk keni treguar pse e keni angazhu Nexhat Krasniqin, famëkeqin e tenderëve!? Trego për keqpërdorimet e buxhetit, për dhjetëra kontrata pa shpallje të nënshkruara, për anulim të projekteve kapitale!?”.

“Lista e përgjigjeve e sqarimeve që duhesh me ia dhanë qytetarëve është shumë e gjatë. Ne u detyruam t’i rikujtojmë disa! Dhe për fund, sqaroju qytetarëve që auditimi i brendshëm bëhet nga ti dhe punëtorët tuaj, ku shkruani çka ju teket dhe nuk është auditim profesional nga Auditori Gjeneral!Sigurisht që keni nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, që tregojnë se e keni marrë tatëpjetën. Fatkeqësisht nga të bëmat tuaja, po e pëson vendi dhe qytetarët”, ka përfunduar Haradinaj në statusin e tij.

Murati në një adresim për media gjatë pasdites të së martës tha se kanë gjetur shkelje në vendimin e Qeverisë “Haradinaj”, për shpronësimet në segmentin rrugor Kijevë-Zahaq, pjesë në të cilën është paraparë që të kalojë autostrada e Pejës.

Ministri shtoi se janë keqpërdorur gjithsej 43 milionë euro në falsifikime të dokumenteve të nevojshme për shpronësim. /Shqip.com