Kosovarët ngatërrojnë presidentin Begaj me kryeministrin Rama

Bajram Begaj, presidenti i Shqipërisë i zgjedhur tri javë më parë, po del se nuk është shumë emër i njohur për shqiptarët e Kosovës.
Vizitën e parë zyrtare jashtë Shqipërisë, ai e bëri gjatë së hënës në Kosovë, prej nga është pritur nga homologia Vjosa Osmani.
Të pyetur se a e dinin se kush është presidenti i Shqipërisë, disa nga qytetarwt e ngatërrojnë me kryeministrin e atjeshëm.
“Edi Rama”, janë përgjigjur dy prej tyre.
Por, ka nga ata që nuk e njohin fare se kush është.
“Jo nuk e di”.
Ndërsa, disa qytetarë të tjerë tregojnë se janë informuar mirë nga mediat.
“Mirë se ka ardh presidenti i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Është një burrë shumë i mirë, ushtarak, mjek, i kohës së duhur”.
“Dimë që ka kontribuar shumë në luftën e UÇK-së, është dhëndër i Kosovës”
“Është Bajram Begaj… E di që ishte një ushtarak shumë i suksesshëm dhe njëkohësisht tani jemi shumë krenar që është president i Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe që është mysafirë i presidentes tonë”.
E disa të tjerë veprimtarinë ia dinin por, emrin jo.
“ I ri është ky presidenti, emri nuk po më kujtohet. E di që është ushtarak, biografinë familjare e ka të mirë, kanë kontribuar të familjes tij për luftën e Kosovës.”
Në mesditë, presidenti Begaj, u takua edhe me kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Kuvendit.
Begaj ka zhvilluar homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, dhe te varrezat e familjes Jashari.
Kush është Bajram Begaj?
Bajram Begaj ka lindur më 20 Mars 1967.
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai më parë ka shërbyer si komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.
Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit./Shqip.com