Gashi: Nesër bëhen 5 vite 9 muaj e 7 ditë nga vrasja e Astrit Dehari, prokurori i rastit po hesht

Avokati Tom Gashi që është edhe avokati i angazhuar nga ana e familjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka hedhur akuza lidhur më ketë rast.
Sipas Gashit, nesër bëhen 5 vite 9 muaj e 7 dite nga vrasja e Astrit Dehari, mirëpo prokurori i rastit po hesht.
Gashi është shprehur se ekspertiza e Institutit Zviceran te mjekësisë ligjore e vitit 2019 e vërteton Vrasjen.
“Ekspertiza e Institutit Zviceran te mjekësisë ligjore e vitit 2019 e vërteton Vrasjen duke konstatuar se me mënyrë shkencore është eliminuar edhe teoria e vetëvrasjes dhe u vërtetua prania e ADN-se te personave te 3-të.Ekspertiza shtese e te njëjtit Institut Zviceran e Muajit Prill 2022, përveç se konfirmoj ekspertizën e vitit 2019 konstatoj se provat qe jane derguar nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës në ketë Institut kanë qene krejtësisht të dëmtuara-manipuluara dhe përgjithësisht te papërdorshme”, ka shkruar Gashi.
Sipas Gashit, prokuroria ne vend qe te filloj hetimet penale kundër atyre qe manipuluan provat zgjodhi një rrugë tjetër te manipulimit te opinionit publik.
“Prokuroria ne vend qe te filloj hetimet penale kundër atyre qe manipuluan provat zgjodhi një rrugë tjetër te manipulimit te opinionit publik duke e publikuar konstatime te ekspertizës shtese, një herë me vetëm dy pika te konkluzionit te ekspertizës shtese dhe pas reagimit te Ministres së Drejtësisë znj.Albulena Haxhiu si për inat 3 dite me vone publikuan ekspertizën me te gjitha gjetjet prap me qellim te manipulimit te opinionit”, ka shkruar Gashi.
Gashi ka hedhur edhe akuza ndaj prokurorit të rastit, duke thënë se prokurori po hesht dhe nuk po kthen përgjigje në disa prej kërkesave të parashtruara.
“Prokurorit te rastit z.Afrim Shefkiu me shkrim qe 4 muaj i kërkuam qe te inicioj hetim penal dhe te identifikojë se kush i manipuloj provat e dërguara ne Zvicër, Prokurori nuk përgjigjet fare. Prokurorit te Rastit i janë bere dhjetëra kërkesa ne te cilat ai nuk është përgjigjur asnjëherë dhe njëra prej tyre është që të kërkoj sqarime nga ekspertet e mjekësisë ligjore ne Prishtine lidhur me plagët e shkaktuara tek Astrit Dehari ne ballë e qe janë ne forma sferike-rrumbullakëta dhe që kanë largësi e diametër te njëjta dhe sipas te gjitha rrethanave janë shkaktuar me goditje me boks te hekurit”, ka thënë Gashi.
Për te gjitha këto nesër në ora 12:00 do të mbajmë konferencë për media në zyrën time në Prishtinë, ka bërë të ditur më tutje Gashi./Shqip.com