Lajme

Kryetari i Bujanocit, i pakënaqur – “Shqipëria e painteresuar, ndihma e Kosovës vetëm në letër”

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë të kënaqur me angazhimin e Shqipërisë dhe Kosovës rreth përmirësimit të gjendjes të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, tha kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.

Shqipëria, tha Arifi, është e painteresuar rreth shqiptarëve në Luginë, ndërsa për Kosovën u shpreh se “ndihma e tyre ka mbetur kryesisht në letër”.

“Nuk jemi të kënaqur me përfshirjen e dy vendeve. Kosova i ka bërë disa hapa për të përmirësuar pozicionin e shqiptarëve të Luginës, duke miratuar buxhet prej 2 milionë eurove për komunat e Bujanocit, Medvegjës dhe Preshevës, por deri më tash ka mbetur vetëm në letër. Në anën tjetër Shqipëria është pothuajse e painteresuar”, tha ai për portalin “Bujanovacke”.

Shqiptarët atje, tha kryetari, presin që Kosova të vendos reciprocitet me Serbinë, teksa shtoi se Shqipëria mund të ndihmojë marrë për bazë marrëdhëniet e mira të kryeministrit shqiptar, Edi Rama me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Komuna e Bujanocit

“Qeveria në Beograde nuk investon në projekte madhore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik ose rritje të punësimit. Është pothuajse krejtësisht e painteresuar në zhvillimin e kësaj zone. Kështu që tërë investimet strategjike përfundojnë në Vranje, një qytet 15 kilometra larg Bujanocit”.

“Investitorët potencialë që do të ndikonin mirëqenien e qytetarëve përfundojnë në Vranje”, ripotencoi ai.

Përveç tjerash, Arifi dha edhe një parashikim. Në dritën e tensioneve në Veri të Kosovës, ai tha se mund të ketë provokime edhe në Luginë të Preshevës.

Tri komunat të banuara me shqiptarë në Veri të Kosovës janë më të varfrat në Serbi dhe të lëna anash nga qeveria serbe.

Rasti më i fundit ishte synimi i SPS-së së Ivica Daçiç për ta penguar qoftë edhe një deputet të vetëm shqiptar të jetë pjesë e jetës parlamentare serbe./Shqip.com