Mbi 1 mijë vizitorë gjatë korrikut në Muzeun Arkeologjik të Durrësit
Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka publikuar shifrat e vizitorëve gjatë muajit korrik, për Muzeun ashtu dhe Amfiteatrin Antik.
Duke krahasuar numrin e vizitorëve në vitin e kaluar, shifrat janë dukshëm më të larta.
Gjatë muajit korrik, Muzeu Arkeologjik, është vizituar nga 1818 persona, duke pasur një rritje prej rreth 1000 vizitorësh më shumë se në vitin 2021. Ndërsa rritja e vizitorëve në Amfiteatrin e Durrësit ka qenë edhe më e madhe. Një vit më parë, në 2021, objekti u vizitua nga 586 persona, ndërsa këtë vit numri i vizitorëve arriti në 2573.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit i ofron vizitorëve edhe shërbimin e audioguidave.
Audioguida në këtë Muze ofrohet në 2 gjuhë. Vizitorët mund të shijojnë jo vetëm objektet arkeologjike që kanë udhëtuar përmes shekujve, por edhe historinë e tyre.
Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës.