Klinaku publikon letrat e këmbyera me Kurtin: Propozimi i Kurtit ndërhyrje në procesin gjyqësor
U.D. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka publikuar letrat e këmbyera me kryeministrin Albin Kurti, për çështjen e veteranëve.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në këto letra kishte propozuar hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi e verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare.
“Të fillojmë menjëherë bashkërisht hartimin e një ligji të ri, i cili nis një proces vlerësimi e verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, me këtë ligj do të siguronim nxjerrjen e një liste të saktë të të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën çlirimtare”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ndërkohë derisa të përfundojë procesi i ri, si mbështetje shtesë Kurti ka thënë mund të ofrojnë përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës.
“Ndërkohë derisa të përfundojë procesi i ri, si mbështetje shtesë mund të ofrojmë përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”.
Por, në përgjigjen e OVL -UÇK-së, është konsideruar ndërhyrje në procesin gjyqësor propozimi për hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi dhe verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare.
“Propozimi juaj, që të fillojmë hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare e konsiderojmë së është ndërhyrje në procesin gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e OVL të UÇK-së.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk kanë qenë dhe nuk janë kompetente për vlerësim e verifikim, por janë të hapura për bashkëpunim….Neve na intereson që veteranët e luftës së UÇK-së të trajtohen dinjitetshëm, dhe do të ishte mirë që të hiqet neni që ua ndalon punësimin atyre”, thuhet në letrën e OVL UÇK-së, dërguar Kurtit.
Tutje, ata thonë se ka nevojë që ligjet aktuale të plotësohen për t’i trajtuar në mënyre të barabartë kategoritë të dala nga lufta e UÇK-së.
Kujtojmë, se veteranët e UÇK-së kishin organizuar protestë në lidhje me mospërfshirjen e tyre në Ligjin për paga./Shqip.com