36 vdekje si pasojë e COVID-19, reagon presidentja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vdekjen e 36 qytetarëve si pasojë e COVID-19 e cilësoi si “ditë e rëndë për Kosovën”.
“Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo tregoi se Institucionet e Kosovës do të mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.
“Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve”, vazhdoi presidentja.
“Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tone”. /Shqip.com
Një rekord prej 36 viktimash nga Coronavirusi është shënuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, njofton Shqip.com.
Si asnjëherë më parë, numri i të vdekurve si pasojë e infektimit me virusin Corona në Kosovë ka kaluar në mbi 35.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku thuhet se edhe një mijë e 630 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Rastet e reja të infektimit janë regjistruar nga gjithsej 11 mijë e 17 testime të kryera.
Tutje në raport njoftohet se sot janë shëruar 816 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 113.699, derisa numri i rasteve aktive në total është 26.575. /Shqip.com