Kurti takohet me gjeneralin Jones: Kosova në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan

Kryeministri Albin Kurti priti në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u, Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.
Siç thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka veçuar renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project “ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, shefi i Qeverisë njoftoi gjeneralin Jones për progresin përgjatë një të tretës së mandatit qeverisës, duke vënë theksin te stabiliteti institucional, indikatorët pozitivë ekonomik dhe demokratik.
“Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë potencoi rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe pjesëmarrjen në misione e stërvitje të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane dhe me NATO-n.
Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe tolerancës zero ndaj krimit e korrupsionit.
Gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-së.
Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.
Në takim ishin edhe deputetja Shqipe Selimi dhe këshilltari i Kurtit, Lulëzon Jagxhiu./Shqip.com