KQZ përmbyll certifikimin, 90 subjekte politike e mijëra kandidatë në garë për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike, njofton Shqip.com.
Gjatë mbledhjes së sotme, KQZ ka certifikuar 90 subjekte politike dhe mijëra kandidatë.
Prej këtyre 90 subjekteve, 32 janë parti politike, 34 Iniciativa Qytetare, një koalicion dhe 23 kandidatë të pavarur.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në 28 komuna për kryetar dhe me 933 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.
Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në 29 komuna për kryetar dhe me 875 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë për kryetar në dy komuna më pak se PDK dhe me 841 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.
Ndryshe nga tri partitë më të mëdha në vend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë në 21 komuna për kryetar dhe me 700 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.
Nisma Socialdemokrate do të garojë në gjashtë komuna për kryetar komune dhe me 289 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.
Teksa Aleanca Kosova e Re do të garojë vetëm në dy komuna për kryetar komune dhe me 259 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti. /Shqip.com