Lajme

Kurti: Komuniteti turk në Kosovë është urëlidhëse në mes Kosovës dhe Turqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komuniteti turk në Kosovë është urëlidhëse në mes Kosovës dhe Turqisë.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Kurti këtë e tha me përfaqësuesit e komunitetit turk në Kosovë, ku dhe i falënderoi ata për kontributin e tyre në shoqëri.

“Keni një rol të dyfishtë edhe si qytetarë dhe qytetarë të komunitetit turk në vendin tonë, por në të njëjtën kohë edhe si urë lidhëse e Kosovës me një vend mik, aleat e partnerë siç është Republika e Turqisë. Pra, ne asnjëherë nuk duam që në lidhjen e Kosovës me Turqinë të mos merrni pjesë ju, të mos ju kemi parasysh edhe juve, sepse jeni element thelbësor i urës së fuqishme midis dy vendeve tona”, tha Kurti.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti vlerësoi lart kontributin e komunitetit turk në Kosovë për pavarësimin e saj.

‘’Ne e dimë që edhe para luftës e pas luftës por edhe para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së pavarësisë raportet tona ndërnjerëzore, qytetare, politike kanë qenë gjithmonë të larta’’, tha ai.

Kryeministri u shpreh i bindur se të punohet shumë për tejkalimin e të gjitha sfidave të këtij komuniteti në Kosovë

Në këtë takim e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, e cila e falënderoi Kurti për mbështetjen që i ka dhënë lidhur me të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, pa asnjë dallim./Shqip.com