Lajme

Bislimi shprehet optimist se shumë shpejtë do të del me lajm të mirë për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

I pyetur nga kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi se deri ku ka arritur procesi i liberalizimit të vizave, Bislimi nuk dha përgjigje të prerë.

Ai foli në të përgjithshmen duke thënë se “është optimist se relativisht shpejtë Qeveria do të del me lajme të mira”.

E sa i përket pritshmërive se do të bëhet liberalizimi në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Bislimi tha se ka qenë pritshmëri artificiale.

Lexo edhe:
Von Cramon: Të liberalizohen menjëherë vizat për Kosovën

“Në fillim të qershorit në mënyrë artificiale janë kriju pritje që në Samitin e BE-BP do të bëhet liberalizimi I vizave për Kosovën.Është thënë nga Vuçiq me qëllime të kqija dhe është përqafu nga një pjesë e madhe e mediave”, tha ai.

Komisioni për Integrime Evropiane

Ai tha se është punuar shumë për të dëmtuar këtë proces si nga jashtë dhe nga brenda vendit.

Duke aluduar me ikjen masive nga vendi të qytetarëve të Kosovës, Bislimi tha se “janë duke u përdorur fotografi të vitit 2016-të” për të penguar procesin.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.

Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti./Shqip.com