Mustafa: Hjekja e TVSH-së për mallra esenciale, zbritja e TVSH-së dhe hjekja e akcizës për derivatët e naftës është urgjente

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se është urgjente hjekja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për mallrat esenciale si dhe të zbritët ky tatim për derivatet e naftës.
Përmes një konferencë për media Mustafa, tha se është e nevojshme edhe hjekja e akcizës për derivatet.
“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka Mustafa.
Mustafa tha se refuzimi i Qeverisë për t’i ndërmarre këto masa ka krijuar kushte që të rritet inflacioni në vend.

“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zhvlerësimin e valutës euro ndaj dollarit amerikan, sugjerojnë se kriza e inflacionit vetëm sa do të shkojë duke u përkeqësuar”, tha Mustafa.
Ai tha se tendenca për të adresuar problemin e inflacionit përmes kontrollit të marzhave të profitit është një politikë e gabuar dhe e pa matur për disa arsye.

“Qeveria duhet të ofrojë evidencë të bazuar në analiza profesionale që vërteton se rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë po ndodhë për shkak të abuzimit me marzhat e profitit dhe jo për shkak të zhvillimeve të tregut. Së dyti, kontrolli i marzhave të profitit, cenon funksionimin e ekonomisë së lirë të tregut, pengon konkurrencën dhe mund të prodhojë probleme shtesë për ekonominë”.
Sipas Mustafës, Qeveria nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta shfrytëzojë politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve./Shqip.com