Lajme

Kurti e cilëson 14 korrikun përtej Ditës Kombëtare të Francës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës e ka cilësuar 14 korrikun ‘Ditën Kombëtare të Francës’ si datë që është përtej saj, pra si referencë e ndërgjegjes humane.

Kurti ka thënë se kjo datë është masa më e madhe revolucionare në Evropë.

“14 korriku është një nga datat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, edhe pse është festa kombëtare e Francës. Sepse 14 korriku i vitit 1789 u bë më shumë si një referencë e ndërgjegjes humane e qytetare. Nën numrin e kësaj date revolucionare paraqitej në tërësinë e Evropës dhe botës, masa më e madhe evolucionit historik që do të shpinte në përputhjen e së drejtës politike dhe së drejtës shoqërore”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka thënë se revolucioni borgjez francez është një një ngjarje e lirisë dhe që i parapriu projektit evropian.

“Sepse, për kombe dhe popuj të asaj kohe, kjo datë dhe ngjarja që ajo shenjon u paraqitën si një limit që duhej mbërritur tashmë, si një detyrë e paanashkalueshme, pavarësisht konservatorizmave të regjimeve e shoqërive, ndalimeve në konceptimin e sovraniteteve dhe drejtësisë, gjendjeve gjeopolitike në të cilat mbaheshin të ngulfatura fuqitë e kohës. Për atë datë dhe ngjarjen e saj kishin punuar të paktën dy shekuj francezë, që prej Descartesit deri tek Iluministët”, ka shkruar Kurti ndër tjerash në Facebook.

Kreu i ekzekutivit kosovar po ashtu ka përmendur traktatet angleze si ajo i filozofit John Locke si rrjedhshmëri e krijimtarive që sollën konceptin e lirisë në zbatim.

Ndryshe, 14 korriku është Festa Kombëtare e Francës.

Kjo u vendos nga ligji i 1880, për të festuar dy ngjarje, marrjen e Bastille të 14 korrikut 1789 , symbol i Monarkisë absolute, dhe Festën e Federatës të 14 korrikut 1790 që festohet për të kujtuar Kushtetutën e 1789./SHQIP.com