Kulturë

Muzeu i Burgut të Prishtinës, sjell dëshmitë e torturave të burgosurve politik

Ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës po shndërrohet në muze, për të dëshmuar edhe një herë rezistencën e Kosovës për liri.

Hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës do të bëhet me ekspozitën e përkohshme “Burgu i Idealit” më 12 korrik në ora 17:00.

Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Rozafa Imani, për Shqip.com, ka treguar detajet e ekspozitës.

“Ekspozita është një ekspozitë hapëse në burgun e Prishtinës, kjo ekspozitë ka me përfshijë të dhënat historike emrat e njëmijë të burgosurve politikë në të gjitha burgjet e Kosovës”, tha ajo.

Tutje, Imani tha se ekspozita do të përmbajë edhe prodhime artistike dhe të dhënat që tregojnë historitë e torturave të burgut.

“Po vetë ky burg ka shërbyer si i tillë burgosurit që kanë qenë këtu kanë shty përpara lëvizjet për liri si për shembull Adem Demaçi, Ukshin Hoti dhe për me rikujtu historinë për me mbajt mësim për gjeneratat e jashtme kemi vendos që këtë burg ta shndërrojmë në muze”, tha ndër të tjera ajo.

Sipas Imanit, ekspozita do të realizohet me anë të fotografive, videove, artefakteve të burgosurve, ilustrime, poezi që ata i kanë shkruar, tregime brenda qelive që tregojnë kronologji kohore qysh kur është administruar nga Serbët, e kështu me radhë.

Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët nga data 12 korrik në këtë orar: E martë – e diel, nga ora 10:00 – 19:00.

Kujtojmë që vendimi për të shndërruar burgun e Prishtinës në muze është marrë në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës./Shqip.com