Mbi 100 persona dyshohet se janë helmuar nga uji në Han të Elezit

Rreth 100 qytetarë të Hanit të Elezit kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga dita e djeshme.
Në orë të vona të mbrëmjes, qindra pacientë me simptoma të helmimit janë paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Një banor i fshatit Goranc tha për SHQIP.com se dyshohet se helmimi ka ardhur nga uji.
“Mbi 90 persona janë helmuar, dyshojmë se janë helmuar nga uji. Aktualisht jemi në QKMF në Han të Elezit duke u trajtuar”,- tha E.Rr i cili nuk deshi të identifikohej.
Në anën tjetër, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi tha për SHQIP.com se nuk është gjendje alarmante, derisa pohon se pacientët kanë simptoma të helmimit.
“Është vjellje, barkqitje dhe temperaturë, por nuk është një gjendje shumë alarmante, por vetëm për shkak të numrit sepse është i madh. Por nuk ka ndonjë vend për shqetësim, të paktën kështu e thonë kompetentët e shëndetësisë”, shton ai.

Theksojmë se ditë më parë, rreth 200 banorë të fshatrave të Kaçanikut kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kishin simptoma të helmimit.
Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimit kishte bërë të ditur se mostrat e marra të ujit nga rajoni i Kaçanikut kanë treguar se nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm./Shqip.com