Konjufca: Urime për Bajramin e Kurbanit, të ndihmojmë ata që kanë më pak

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka uruar gjithë qytetarët për festën e Kurban Bajramit.
Konjufca ka thënë se kjo festë është “një rast i veçantë për të reflektuar mbi vlerat e larta të flijimit, shërbimit, dhembshurisë, bamirësisë dhe për të ndihmuar ata që kanë më pak”.
“Sakrifica e vërtetë sugjeron që të vendosim nevojat e tjetrit mbi tonat, dhe, nëse është e nevojshme, të heqim dorë nga ajo që është e rëndësishme për ne për të mirën e të tjerëve. Atmosfera që krijon Bajrami në këtë kohë të flladit veror le të jetë një motivim i ndarjes së dashurisë. Urime për Bajramin e Kurbanit!”, ka shkruar Konjufca.

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën, sot festojnë festën e Kurban Bajramit.
Kjo festë, kremtohet pas kryerjes së Haxhit, pelegrinazhit të përvjetshëm në Mekë.

Kurban Bajrami, është një prej dy festave më të rëndësishme për myslimanët.
Falja e namazit të Kurban Bajramit është bërë në ora 05:43./Shqip.com