Lajme

Dyshohet për varrezë masive në Dreth – mund të jetë grupi i intelektualëve të Mitrovicës

Gërmimet në Kizhevak

Varrezë masive dyshohet të ketë në fshatin Dreth, në veri të Mitrovicës, ku ka gjasa të jetë grupi i intelektualëve të Mitrovicës, njofton Shqip.com.

Nga java tjetër, përkatësisht pas 30 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, mund të fillojë gërmimet në këtë zonë dhe lokacione të tjera.

Kështu bën të ditur për Shqip.com, drejtori i këtij instituti, Arsim Gërxhaliu, i cili tha se menjëherë pas të hënës do t’i qasen dy lokacioneve, Drethit dhe fshatit Marinë në hyrje të Skenderajt.

“Meqë 30 gushti është të hënën, pra Dita Ndërkombëtare e të zhdukurve, menjëherë pas të hënës do t’i qasemi dy lokacioneve, Marinë ku janë gjetur mbetje ashtërore dhe qorape dhe është izoluar vendi dhe pastaj në Dreth”, ka thënë ai.

Gërxhaliu njoftoi se tashmë po koordinohen me policinë për të caktuar datën se kur të nisin këto gërmime.

Drejtori I IML-së ka njoftuar se në Dreth supozohet se mund të gjendet grupi i ashtuquajtur “i Adem Ademit”.

“I kemi disa lokacione në Kosovë ku besojmë se do t’iu qasemi së shpejti. Besojmë se së shpejti do të fillojmë gërmimet në Dreth por jemi në pritje të imazheve satelitore për lokacionin e saktë pasi i kemi tri koordinata dhe na duhet edhe e katërta. Mund të supozohet se aty mund të gjendet edhe grupi i intelektualëve të Mitrovicës apo grupi i ashtuquajtur i Adem Ademit”, ka thënë ai për RTK-në.

Ai njoftoi se janë në pritje të imazheve edhe nga disa lokacione tjera në Serbi.

“Kemi dy pika. Një në Kozarev në afërsi të Novi Pazarit. Jemi në pritje të imazheve satelitore nga NATO dhe Amerika. Si dhe një lokacion tjetër që është një minierë thëngjilli në Shtavan, në afërsi të Stinicës”. /Shqip.com