Lajme

Policia flet për incidentin në KQZ, dyshohet se Kurteshi e shtyu kolegun

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi

Policia ka dhënë detaje lidhur me incidentin që dyshohet të ketë ndodhur gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njofton Shqip.com.

Në raportin 24-orësh të saj, Policia thotë se viktima është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari pasi nuk kishte vendosur maskë.

Lidhur me këtë rast janë intervistuar dy dëshmitarë të rastit, derisa është njoftuar edhe prokurori.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dyshohet se e sulmoi kolegun e tij të komisionit, e gjithë kjo për mos bartje të maskës.

Përgjatë ditës së djeshme, organet e rendit kanë njoftuar se kanë marrë masa ndaj rastit të sulmit fizik të ndodhur brenda KQZ-së.

Këtë për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se lidhur me këtë është inicuar një hetim.

“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim për rastin sulm”, tha Ahmeti.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me Kurteshin për të marrë një përgjigje lidhur me këtë rast, por ai e ka mohuar këtë duke thënë se nuk është në dijeni për asgjë.

“Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk po di asgjë në lidhje me këtë”, ka thënë Kurteshi. /Shqip.com