Lajme

Osmani: Kush do ta dijë qëndrimin tonë për Asociacionin ta lexojë vendimin e Kushtetueses, s’mund të këtë qasje të ndarë për tema të ndryshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kush dëshiron që ta dijë qëndrimin tonë për Asociacionin duhet ta lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për KTV, Osmani është shprehur se për ne Gjykata Kushtetuese e ka dhënë përgjigjen, kushdo që dëshiron të dijë se cili është qëndrimi ynë.

“Për ne Gjykata Kushtetuese e ka dhënë përgjigjen, kushdo që dëshiron të dijë se cili është qëndrimi ynë mjafton që të lexohet ai vendim. Ne kurrë s’kemi krijuar pritshmëri të tjera. Jemi jashtëzakonisht të zëshëm dhe këtë po e bëjmë në atë se çka Serbia nuk po bën, dhe ndër të tjera është edhe vazhdimi i mbështetjes e financimit të strukturave kriminale që janë të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe qytetarët serbë në veri”, ka thënë Osmani.

Po ashtu Osmani ka folur edhe për deklarimet e Shteteve të Kuintit që po kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Nëse kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që të shtyhet përpara çështja e zbatimit të Manastirit, pyetja është pse nuk është aq i zëshëm edhe për shumë e shumë vendime të tjera të Kushtetueses. S’mund të ketë qasje të ndarë, kjo nuk është çështje zgjidh e merr, të kërkohet të zbatohet vendimi për Manastirin e Deçanit, por jo edhe vendimi sa i përket Asociacionit”, deklaroi Osmani.

 Është me rëndësi për mua si presidente e vendit që ta shpërfaqi fytyrën e vërtetë të Serbisë, ka shtuar Osamani./Shqip.com