Krasniqi pas takimit me Kurtin: PDK ka vite që ka propozuar fillimin e Vettingut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me kryeminsitrin Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë.
Krasniqi, pas takimit me Kurtin gjatë konferencës për media tha se PDK-ja ka vite që e ka propozuar procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias”, tha ai.

Ai dhe PDK-ja vlerëson se Vettingu duhet të kalohet përmes Kuvendit për të vendosur për ose kundër miratimit të ndryshimeve kushtetuese në drejtësi.
“Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK-ja vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit , në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, Krasniqi ka thënë se, për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.
“PDK, si parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese, mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të vendit, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit.”, ka përfunduar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi./Shqip.com