Kurti takohet me sekretaren zvicerane: Njohja reciproke Kosovë-Serbi normalizon marrëdheniet mes dy shteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me sekretaren e shtetit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu.
Në këtë takim Kurti dhe Leu kanë biseduar për procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka ritheksuar qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që të normalizohen marrëdhëniet në mes të dy vendeve.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga zyra e kryeministrit.
“Duke biseduar për procesin e dialogut në Bruksel, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit.
Po ashtu, Kurti ka veçuar rendësinë e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.

“Ai tha se mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë se Republikës së Kosovës, janë pothuajse e njëjta gjë. Po ashtu, veçoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”.
Tutje, gjatë këtij takimi u theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, Leu përgëzoi Kurtin për përpjekjet në luftimin e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë.
Në këtë takim mori pjesë edhe deputetja Jeta Statovci, drejtuese e Grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Zvicër./Shqip.com