Lajme

Kurti: Rruga e duhur është kur kemi një sistem të drejtësisë i cili siguron aplikimin e rendit dhe të ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryetarët dhe nënkryetarët e komunave lidhur me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë” thuhet në njoftim.

Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, është shprehur Kurti.

Sipas Kurtit, rruga e duhur është kur kemi një sistem të drejtësisë i cili siguron aplikimin e rendit dhe të ligjit.

Foto nga Takimi

“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Redžepi, në fjalën e saj theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.

Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit. Ata theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.