Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

Gjykatësi paraprak, Nicolas Guillou, ka marrë vendim, me anë të së cilit, ia ka vazhduar masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte.
Kjo është bërë e ditur përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara raporton Betimi për Drejtësi.
Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt./Shqip.com