“Ora e vdekjes”, e bazuar në histori të burgosurve politikë premierë në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Shfaqja “Ora e vdekjes”, me regji të Ilir Bokshit, e bazuar në histori të vërteta të burgosurve politik në Kosovë dhe Shqipëri, do të jepet premierë në Muzeun e Burgut të Prishtinës.
Në kuadër të FemArt, shfaqja do të jepet më 23 qershor.
Sipas njoftimit të FemArt, “Ora e vdekjes” përfshin edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri.

“Projekti trajton jetën, moralin, identitetin, fatet, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror”, thuhet në njoftim.
Shfaqja më pas do të shfaqet edhe në datat 28, 29 dhe 30 qershor në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Në shfaqje do të luajnë Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti./Shqip.com