‘Carmina Burana’ vjen premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff do të ketë premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit 2021/2022 të Filharmonisë së Kosovës.
Kështu ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes rrjetit social Facebook.
Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 26 qershor prej orës 20:00.
“Në këtë koncert Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, do të ngjiten në skenë bashkë me Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Pejës, korin e fëmijëve “Okarina”, njofton MKRS.
Ndërkaq, pjesëmarrës në koncert do të jenë Adelina Paloja (soprano), Arta Jashari (soprano), Safet Berisha (kontratenor) dhe Xhemil Rexhepi (bas) nën drejtimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa.
Ky koncert organizohet në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës si dhe Komunës së Prishtinës.