Osmani: Përkushtimi i Kosovës për t’iu bashkuar BE-së është i palëkundur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se dialogu Kosovë-Serbi është proces jetik që i shpie të dyja vendet drejt Bashkimit Evropian.
Në konferencën e përbashkët me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Osmani ka kërkuar që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të përmbyllet sa më parë.
“Pavarësisht përkushtimit tonë mospërputhja e premtimeve teston edhe besueshmërinë e BE-së. Populli i Kosovës do të mbetet stoik kundër ndikimit rus në Ukrainë. Kryesorja është liberalizimi i vizave dhe është stërvonuar pavarësisht përmbushjes së kritereve”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se BE-ja nuk duhet të lejojë që dialogu të shndërrohet në instrument të Serbisë për ta minuar integrimin e Kosovës, qoftë në mekanizma rajonal e as në evropian.
“Duhet të vendoset një rrugë e qartë në Bashkimin Evropian. Kosova është e gatshme t’i ndërmarr të gjitha reformat për t’u anëtarësuar në BE. Kosova është e përkushtuar edhe ndaj dialogut me Serbinë. Për Kosovën dialogu nuk është vetëm kërkesë nga ndërkombëtarët por proces jetik”, ka thënë Osmani.
Osmani shtoi se ka ardhur koha që marrëdhëniet Kosovë-BE të ngriten në një nivel më të lartë.
“Ka ardhur koha që të ngrisim marrëdhëniet tona (Kosovë-BE) në nivel më të lartë. BE-ja të bëjë të qartë perspektivën evropiane të rajonit e në veçanti të Kosovës. Duhet të ketë angazhim aktiv për liberalizimin e vizave, pasi deri tani ka ekzistuar një diskriminim i qartë për qytetarët e Kosovës. Kjo çështje duhet të përmbyllet sa me parë”, tha ajo.
Poashtu, Osmani foli edhe për pretendimin e Kosovës për të aplikuar deri në fund të vitit për anëtarësim në BE./Shqip.com