Sot në Kosovë mbahet Parada e Krenarisë

Me sloganin “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE” nga e hëna ka nisur “Java e Krenarisë 2022” në Kosovë.
Në edicionin e saj të gjashtë, Java e Krenarisë, pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+.
“Parada ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e Kosovës. Ceremonia e hapjes së Javës së Krenarisë/Paradës së Krenarisë në Kosovë do t’i paraprinë realizimit të aktiviteteve tjera në kuadër të Javës së Krenarisë”, thuhet në njoftimin e grupit organizativ “Parada Pride”.
Vitin e kaluar, në Paradën e Krenarisë, nuk morën pjesë asnjë nga krerët e shtetit – Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit. Në këtë organizim, edhe sivjet do të mungojë kryekuvendari, Glauk Konjufca, pasi, sipas zyrës së tij, ai pritet të udhëtojë jashtë vendit në vizitë zyrtare.
Theksojmë se në vitin 2021, Java e Krenarisë ishte shënuar me moton “Bashkë dhe Krenarë”.
Në përkrahje të “Paradës së Krenarisë” janë parë edhe emra të njohur të politikës si: Adriana Matoshi, Nol Nushi, Frashër Krasniqi, Teuta Rrusta, e të tjerë.
Përmes aktiviteteve përgjatë Javës së Krenarisë, është synuar fuqizimi i personave LGBTI për t’u përballur me diskriminimin e përditshëm në Kosovë. Java e Krenarisë edhe këtë vit ka adresuar çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare./Shqip.com