Ahmeti: Është dashur të ketë viktima për t’i prerë Komuna e Prishtinës drunjtë e dëmtuar

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Tahir Ahmeti ka thënë se është dashur që të ketë viktima dhe të lënduar në mënyrë që Komuna e Prishtinës të intervenoj për të identifikuar dhe eliminuar drunjtë e dëmtuar që paraqesin rrezik për qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti thotë se këto veprime duhet të ndërmirren më herët.
“Pra, është dashtë që të kemi viktima dhe të lënduar në mënyrë që të intervenohet për të identifikuar dhe eliminuar drunjtë e dëmtuar që paraqesin rrezik për qytetarët”, shkroi Ahmeti.
Sipas tij, vlerësimi i rrezikut dhe marrja e masave për parandalimin e rreziqeve të mundshme duhet të bëhet me kohë.
Tutje, Ahmeti tha se siguria e qytetarëve është dhe duhet të jetë primare.
Komuna e Prishtinës, ka njoftuar sot se po identifikohen, krasitën dhe prehen drunjtë të cilët paraqesin rrezik eventual për qytetarët.
Të hënën një person mbeti i vdekur si dhe një femër mori lëndime të rënda trupore si pasojë e rrëzimit të një peme nga erërat e forta në Prishtinë./Shqip.com
