Dardanët i kthehen stërvitjes në prag të ndeshjes me Irlandën e Veriut

Kombëtarja e Kosovës iu ka rikthyer stërvitjeve në stadiumin “Fadil Vokrri” në prag të ndeshjes së radhës në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut.
Në stërvitjen e sotme ekipi ka punuar me intensitet jo aq të lartë, teksa përzgjedhësi Alain Giresse ka punuar edhe në aspektin mental.
Kjo, në mënyrë që futbollistët të përqendrohen plotësisht te sfida e radhës dhe ta lënë prapa shpinës zhgënjimin e humbjes së pësuar ndaj Greqisë.

Pas stërvitjes, portieri Samir Ujkani është shprehur fillimisht falënderues për të gjithë tifozët që i dhanë mbështetje të madhe në ndeshjen e kaluar, derisa ka thënë se pret rezultat pozitiv ndaj Irlandës së Veriut.
“Falënderoj shikuesit e pranishëm dhe ‘Dardanët’ për përkrahjen e madhe në ndeshjen kundër Greqisë. Stadiumi ishte i mbushur, por rezultati nuk ishte pozitiv, por nuk kemi kohë të mendojmë më për atë rezultat, duhet të mendojmë për ndeshjen që e kemi të enjten dhe duhet të jemi të bashkuar për të pasur rezultat pozitiv”, ka thënë Ujkani.
“Pas çdo humbje, sigurisht se atmosfera nuk është e mirë, por nuk kemi kohë për të menduar se çka ka ndodhur, por të jemi të gatshëm për ndeshjen që e luajmë të enjten”, shtoi ai.

Dardanët nesër e zhvillojnë stërvitjen e fundit para duelit të radhës, në orën 17:30 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa paraprakisht në orën 17:00 do të mbahet konferenca për media.
Kurse, ndeshja kundër Irlandës së Veriut luhet më 9 qershor në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45. /Shqip.com