Kulturë

Çeku në Panairin e Librit: Po punojmë për një politikë të re kultuore ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese

Hajrulla Çeku

Pas dy vjetësh pandemi, sot u rikthye Panairi i Librit në Prishtinë.

Me moton “Libri mbron mendjen”, sot nga ora 12:00 vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë.

Panairi i Librit do të mbahet nga 7-12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë.

Në hapjen e panairit ishte edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Çeku shprehu kënaqësi të veçantë që është pjesë e ngjarjes sipas tij më të rëndësishme kulturore në vend.

“Në panairin e librit po takohemi të kremtojmë librin dhe njëri-tjetrin në një periudhën të rëndësishëm të rikthimit, si Ministri e Kulturës, jemi të lumtur që jemi pjesë e mbështetjes të aktiviteteve të tilla, dhe ne po punojmë për një politikë të re kulturore e institucionale”,  tha Çeku.

Tutje, ai shtoi se MKRS, ka filluar një platformë të re kulturore të promovimit të librit.

“Jemi të pajtimit që mbështetja për librin duhet të kaloj në një nivel tjetër dhe po punojmë për një politikë të re të kulturës, reformë të re ligjore dhe institucionale ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese ku bënë pjesë edhe libri edhe nxitja e lexueshmërisë edhe përkthimi”, tha Çeku.

Në panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000”.

Ndërkaq, do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./Shqip.com