Lajme

Murati: Duhet të bëhet pastrimi i listave të veteranëve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve gjatë ditës ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Gjatë raportimit në këtë komision, Murati ka folur edhe për çështjen e veteranëve të luftës.

Ai ka thënë se shteti gjatë një viti paguan rreth 80 milion euro për pensionet e veteranëve.

Po ashtu Murati ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga kryeministrit Kurti e ka përsëritur disa herë se nevojitet pastrim i listave të veteranëve në mënyrë që të vazhdohet tutje tek çështja financiare.

“Shteti jep 80 milionë euro në vit për pagesat e veteranëve. Shteti po jep mjaft por veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që mund të mos jenë veteranë, që marrin atë 170 euro. Ne si Qeveri kemi thënë se duhet të bëhet një pastrim i listave” ka thënë Murati.

Murati në këtë raportim para komisionit për Shëndetësi ka folur edhe për masat e Qeverisë në kuadër të ringjalljes së pakos emergjente./Shqip.com