Krasniqi e quan Kurtin veteran të rrejshëm: Pushteti i VV-së sot tregoi fytyrën e vërtetë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me trajtimin e veteranëve në protestën e sotme dhe votimin pro ligjit për përcaktimin e pagës minimale të cilin e quajti diskriminues.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se Albin Kurti si ‘veteran i rrejshëm’ e ka treguar fytyrën e vërtetë.
“Pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga “veterani” i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë”, shkroi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, trajtimi i padinjitetshëm i veteranëve nga pushteti i Albin Kurtit, nuk do të dëshironte asnjë qytetar që t’i shihte.
“Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjiteshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t’i përjetonte. Kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativa ligjore, ku kryeministri i Kosovës i trajton luftëtarët e lirisë – kategorinë më meritore për lirinë tonë – si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm.”, shkruan kreu i PDK-së.
Krasniqi thekson, se Kurti dhe bashkëpunëtoret e tij duhet ta dinë që mbi guximin dhe sakrificën e veteranëve është ndërtuar Kosova.
“Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dijnë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, ne kemi ndërtuar shtet e institucione, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre”
Tutje, ai thotë se PDK si lidere e opozitës, me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve./Shqip.com
