Me ceremoni ushtarake rivarroset dëshmori, Muhamet Musliu

Me ceremoni ushtarake, në prani të qindra qytetarëve, të enjten është bërë rivarrimi i eshtrave të dëshmorit të kombit, ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Musliu.
Musliu, i cili ra heroikisht më 23 mars 1999, u rivarros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, para të pranishmëve tha se Musliu ishte shembull për vendosmëri e guxim për ta mbrojtur vendin.
“Dëshmori Muhamet Musliu, ishte një luftëtarë shembull, i vendosur dhe guximtar i betuar për të luftuar deri në frymën e fundit në çlirimin e vendit. Ai si shumë luftëtar të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pati fatin që të përjetojë lirinë por ai me vetëdije të plotë u bë themel i lirisë që sot e gëzojmë”, tha Lushtaku, bëhet e ditur në njoftimin e komunës.
Lushtaku, tutje u shpreh se “krahas dhimbjes për dëshmorin Musliu, të gjithë ne kemi edhe ndjenja krenarie për sakrificën e tij sublime”./SHQIP.com
