Kulturë

Orkestra Kalush shet çmimin e Eurovisionit, mbledh 900,000 dollarë për ushtrinë ukrainase

Orkestra Kalush e Ukrainës, fituese e Eurovisionit 2022, ka mbledhur 900,000 dollarë për ushtrinë e vendit të tyre duke nxjerrë në ankand trofeun e fituesve.

Ankandi për trofeun e kristaltë u zhvillua në Facebook të dielën nga prezantuesi i TV ukrainas Serhiy Prytula.

“Ne vlerësojmë secilin prej jush që dhuroi në këtë ankand dhe një falënderim të veçantë për Team WhiteBIT që bleu trofeun për 900,000 dollarë dhe tani janë pronarët e ligjshëm të trofeut tonë. Lavdi Ukrainës! Lavdi Forcave të Armatosura të Ukrainës”, shkruhet në faqen zyrtare të grupit.

Fondet e mbledhura do të përdoren për të blerë sistemin e dronëve pa pilot PD-2, i cili përfshin tre avionë dhe një stacion kontrolli tokësor, për ushtrinë ukrainase, tha Prytula.

Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt dhe konflikti ka marrë mijëra jetë,

Orkestra Kalush ishte fituese e Eurovisionit me këngën “Stefania”.

Kënga, e cila përzien folkun me repin, u shkrua si një homazh për nënën e këngëtarit kryesor Oleh Psiuk.

Të dielën, Orkestra Kalush performoi në një koncert bamirësie në Portën e Brandenburgut të Berlinit për të mbledhur para për ilaçe dhe furnizime të tjera.