Haradinaj: Kam informata se janë mbledhur mbi 10 milionë euro në Fondin e Sigurisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka dhuruar tri paga të tij për Fondin e Sigurisë.
Haradinaj gjithashtu i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të dhurojnë fonde.
“I kam dhënë tri paga për Fondin e Sigurisë”, tha ai ne emisionin Pressing në T7.
“Ndoshta i blejnë tri pushkë të reja për ushtarë. Të bukura. Të blejmë Javelina. I pamë në Ukrainë. Do të bëjë pyetje. A do të ketë rishikim. Ndihmat janë të mirëseardhura. Gabim po bëjnë opozitarët tjerë. Nëse nuk duan mos të qesin. Nuk mund të ketë parregullsi. Ushtria është e jona dhe ju bëjë apel të gjithë shqiptarëve, kush sa ka që të dhurojë fonde”, tha ai në Pressing në T7.
Haradinaj ka shtuar se ka informacione se deri më tani janë mbledhur 10 milionë euro në Fondin e Sigurisë.
“Aleatët e dijnë. Besom. Partnerët tanë e dinë. Edhe publiku do e marrë vesh me kohë. Këshilli i Sigurisë e zbulon këtë të dhënë. Kontratat e ushtrisë nuk bëhen publike. Edhe për polici ka raste. Kam informacion rrethanor se janë mbledhur mbi 10 milionë euro në Fondin e Sigurisë. Nuk janë të sigurt. Kam informata nga ata që kanë kontribuar. Por po ju them. Edhe po t’i kishim 1 miliard, nuk është kryer puna. Duhen investim të qëndrueshme”, përfundoi ai.