ZRRE e ka të paqartë se si ta zbatojë vendimin për pezullimin e shtrenjtimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, pasi që ka zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës, ka bërë të ditur se nuk po di se si ta zbatojë këtë aktvendim.
ZRRE-ja përmes një njoftimi në Facebook, ka treguar se e ka të paqartë se si duhet ta zbatojë aktvendimin, dhe të njëjtit i janë drejtuar Gjykatave kompetente për udhëzim.
“Duke qenë se Aktvendimet nuk përmbajnë sqarime se si të zbatohen ato, duke krijuar paqartësi të mëdha të zbatimit, ZRRE i është drejtuar Gjykatave kompetente për udhëzime se si të zbatohet Aktvendimi për Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike. Njëkohësisht, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme përmes ushtrimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike”, thuhet në njoftim.

ZRRE gjithashtu ka njoftuar se është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës si dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE duke refuzuar kështu ankesën e këtij institucioni si të pabazuar./Shqip.com