Abdixhiku: Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!

Gjykata e Apelit ka vendosur që vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ishte i pa bazuar.
Lidhur më këtë ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%” ka shkruar Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut parat e qytetarëve duhet kthyer.
“Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq’’ ka thënë Abdixhiku.
Ai po ashtu ka kërkuar edhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së.
“Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet” është shprehur Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka bërë të ditur se nga e hëna LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë./Shqip.com