Lajme

Mbyllet Kuvendi, s’ka kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga AAK-ja

Ka përfunduar seanca plenare e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku u debatua lidhur me situatën e sigurisë në vend.

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës nuk e ka hedhur në votim rezolutën e propozuar nga AAK-ja.

Pikat e rezolutës:

-Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta ketë prioritet mbi prioritetet çështjet që lidhen me siguri;

– Të miratohet dhe procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës, Strategjia e Sigurisë Kombëtare së Kosovës;

-Ruajtja e Partneritetit Strategjik me SHBA në raport me forcimin e FSK-së;

-Njëkohësisht, sigurimi i të gjitha kushteve logjistike dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjetet moderne;

Mbështetja e Fondit të Sigurisë;

-Krijimi i tri kushteve minimale për Policinë e Kosovës:

-Pagë të dinjitetshme – miratimi i Ligjit të Pagave;

-Sigurimi Shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës;

– Procedimi i Ligjit për Pensionim të Parakohshëm;

– Mbështetja e vazhdueshme për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencës.

Gjatë seancës, në parlament u debatua edhe për Fondin e Sigurisë, temë kjo që përplasi pozitë e opozitë.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri duke folur për shumën e mbledhur në këtë fond, vuri bast mandatin e tij prej deputeti se nuk janë mbledhur më shumë sesa 2 milionë euro.

“Dhe sot, kur kanë shkuar rreth 75 ditë unë jam i bindur – dhe nëse s’del kështu, unë po vë bast dhe po e lë mandatin e deputetit – nëse kanë kalu mbi 2 milionë euro, nëse janë dhënë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, deri në këto momente, unë e lë mandatin tim. Sepse as 2 milionë euro nuk keni arritë me i mbledhë”, tha Tahiri.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati i cili ia kërkoi dorëheqjen Tahirit, pasi thotë se në Fondin e Sigurisë janë grumbulluar më shumë se 2 milionë euro.

“ Sa i përket Fondit të Sigurisë dhe vut bast për të dhënë dorëheqjen, ju ftoj që sot ta jepni atë. Që sot, dhe ta shohim a po i qëndroni fjalës. Nuk e them sa është, mirëpo nuk është ajo që thatë ju. Dhe të ftoj ta japësh dorëheqjen së pari, privatisht mund të tregoj shumën, por njëherë qëndroj fjalës deri në fund”, u shpreh Murati.

Theksojmë se më 1 mars Qeveria e Kosovës kishte themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.

Ndryshe, buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në më 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet./Shqip.com