Krasniqi takohet me Gjukanoviqin: PDK-ja përherë falënderuese për kontributin e mikut nga shteti fqinj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Krasniqi ka thënë se temë e diskutimit ishin zhvillimet politike në të dy shtetet dhe rajon.
“Gjatë këtij takimi folëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, duke shprehur nevojën për forcimin e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve, pavarësisht pozicionit tonë politik”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Kryetari i PDK-së ka thënë se i ka shprehur mirënjohje Gjukanoviqit për angazhimin dhe mbështetjen e shtetësisë së Kosovës.
“Presidentit Gjukanoviq i shpreha mirënjohje për angazhimin e tij në mbështetje të shtetësisë së Kosovës, që nga njohja e pavarësisë së vendit tonë, atëherë si kryeministër i Malit të Zi, e deri sot. Partia Demokratike e Kosovës është përherë falënderuese për kontributin e mikut tonë nga shteti fqinj mik”, shkroi Krasniqi.

Theksojmë se Gjukanoviq ka ardhur në Kosovë më 18 maj me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.
Ai ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi./Shqip.com