Kryeministri Kurti takoi kongresistin Jim McGovern

Albin Kurti, ka takuar në Washington, D.C. kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kurti ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen nga Kongresi dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrisë.
Sipas njoftimit Kurti ka njoftuar kongresistin McGovern për progresin përgjatë qeverisjes njëvjeçare, synimet, planet dhe prioritet e qeverisë në vijim të mandatit. Kryeministri ka thënë se vitin e kaluar kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me rritje prej 83,6% të eksporteve, 21% rritje të IHD-ve, 30% rritje të të hyrave tatimore dhe 31% rritje të të hyrave doganore.

Po ashtu Kurti ka theksuar reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës duke u rreshtuar përkrah ShBA-së dhe BE-së, me vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe me ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Ukrainën.
Kurti po ashtu ka potencuar që megjithëse NATO është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë./Shqip.com